Më 30.05.2021 ka hyrë në fuqi ligji nr. 41/2021, datë 23.03.2021, i cili ka ndryshuar qenësisht procedurën dhe vendimarrjen gjatë seancës paraprake, në procesin penal. Tanimë, kur i pandehuri paraqet kërkesë për gjykim të shkurtuar, gjyqtari i seancës paraprake jo vetëm verifikon aspektet formalo-procedurale të kërkesës, por edhe shprehet lidhur me pranimin ose jo të saj.
Në dallim nga parashikimi i mëparshëm i K.P.Penale, sipas së cilit kërkesa paraqitej gjatë seancës paraprake, në të cilën gjyqtari e administronte (pasi verifikonte elementet formale të saj), por pranimi ose rrëzimi i saj, bëhej nga gjyqtari i seancës gjyqësore, tanimë është gjyqtari i seancës paraprake, i cili shprehet edhe për këtë çështje.
Nëse kërkesa pranohet nga gjyqtari i seancës paraprake, çështja nuk kalon për shqyrtim në seancë gjyqësore (në themel), por zgjidhet përfundimisht në seancën paraprake.
Për këtë arsye, sipas nenit 332/dh, pika 1, shkronja “c”, të K.P.Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 41/2021, gjyqtari i seancës paraprake, pasi pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar, si dhe administron aktet, duke i dhënë fund hetimit gjyqësor, vendos kalimin e çështjesh në diskutime përfundimtare, duke iu dhënë kohë palëve, deri në 15 ditë, për t’u përgatitur, për të paraqitur konkluzione të tilla.