REGJISTRIMI I PRONARËVE PËRFITUES, AFATI I FUNDIT DATA 30 QERSHOR 2021

Ligji Nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 149, datë 13.08.2020, dhe ka hyrë në fuqi në datën 28 Gusht 2021, është në fazën e shtrirjes së efekteve të tij, me krijimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues. Gjithashtu në zbatim të këtij ligji është miratuar VKM nr. 1088, datë 24.12.2020 “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”, e cila ka hyrë në fuqi në datën 30.12.2020.

Sipas këtij ligji, me përjashtim të personave fizikë tregtarë, personat juridikë dhe ndërmarrjet, aksionari i vetëm i të cilëve janë institucionet qëndrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë, komunitetet fetare dhe partitë politike, subjektet e mëposhtme do të konsiderohen Subjekte Raportues dhe kanë detyrimin të raportojnë/regjistrojnë pronarët përfitues:

  • shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar;
  • shoqëritë aksionare;
  • shoqëritë kolektive;
  • shoqëritë komandite;
  • zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja;
  • shoqëritë e kursim kreditit dhe unionet e tyre;
  • shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjelltë;
  • shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor;
  • cdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së;
  • organizatat joftimiprurëse, etj.

Sipas ligjit, “Pronar përfitues”, do të konsiderohet:

  1. Individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një subjekt juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër të:
    • aksioneve ose të drejtave të votimit;
    • pjesëmarrjes në kapitalin e atij entiteti;
    • përmes kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera;
    • përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij.
  2. Themeluesi, përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse.
  3. Krijuesi i trust-it, kujdestari/i mirëbesuari, mbrojtësi, nëse ka dhe përfituesit ose kur personat që përfitojnë nga marrëveshja ligjore ose entiteti ende nuk janë përcaktuar, klasa e personave për interesin kryesor të të cilëve marrëveshja ligjore ose entiteti është krijuar ose operon; cdo individ tjetër që ushtron kontrollin e fundit mbi trustin me anë të pronësisë direkte ose indirekte ose me mjete të tjera.

Identifikimi i Pronarit Përfitues.

Personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues në aplikimin elektronik për regjistrimin e pronarit përfitues bashkëlidh dokumentacionin e nevojshëm shoqërues, në format elektronik dhe aktet të tilla si:

  1. dokumentacionin e identifikimit dhe emrin e subjektit raportues;
  2. ekstraktin e subjektit;
  3. ekstrakti i personit juridik që zotërohet nga individi i regjistruar dhe rezulton ortak/aksionar në subjektin juridik;
  4. statuti dhe aktet e brendshme të shoqërisë;
  5. kontrata ose cdo dokument tjetër që vërteton se individi i regjistruar është pronari përfitues i subjektit, sipas pronësisë „direkte“ apo „indirekte“.
  • Pronësi direkte– është pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues;
  • Pronësi indirekte– është pronësia e mbajtur ose kontrolli i ushtruar nga një individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët vecmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose interesave të pronësisë në një subjekt raportues.
    • Në rast se nuk mund të identifikohet dot individi zotërues i 25% ose më tepër, duhet të identifikohet dhe regjistrohet si pronar përfitues individi që:
      1. përcakton vendimet e marra, ose;
      2. kontrollon në cdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të personit juridik.
    • Nëse edhe në këtë rast nuk identifikohet dot pronari përfitues, atëhere subjektet raportuese duhet të identifikojnë dhe regjistrojnë, si pronar përfitues, individin/ët që mban pozicionin e drejtuesit/drejtuesve më të lartë të subjekteve raportues.
    • Për të dy rastet e mësipërme, subjekti raportues duhet të dorëzojë edhe një deklaratë me shkrim të nënshkruar nga përfaqësusei ligjor i subjektit raportues, në të cilën të përcaktohen saktësisht hapat e ndërmarra për identifikimin si pronar përfitues të individit.

Afati i caktuar për regjistrim

Subjektet raportuese ekzistuese duhet të identifikojnë pronarët përfitues dhe të krijojnë e të mbajnë dokumentat përkatëse për ta, jo më vonë se data 31 dhjetor 2020. Megjithatë, afati  për regjistrimin e të dhënave të kërkuara për pronarët përfitues është brenda 60 ditëve kalendarike nga data e krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues (që pritej të ishte data 31 Mars 2021).

Me Aktin Normativ Nr. 12, datë 25.03.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues“, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 49, datë 29.03.2021 afati është shtyrë deri në datën 30 Qershor 2021.

Subjektet e regjistruar për herë të parë duhet të raportojnë të dhënat për pronarët përfitues brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit. Përvec regjistrimeve fillestare, subjektet kanë detyrimin të raportojnë për cdo ndryshim në këto të dhëna brenda afatit 30-ditor nga data e regjistrimit të ndryshimit.

Procedura e aplikimit për regjistrim

Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe/ose për përditësimin ose ndryshimin e të dhënave për pronarët përfitues bëhet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues nëpërmjet sportelit elektronik.

  1. Personi i autorizuar pajiset me nënshkrimin elektronik, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik;
  2. Personi i autorizuar identifikon pronarët përfitues sipas parashikimit të ligjit dhe siguron dokumentacionin e nevojshëm;
  3. Identfikimi elektronik në portalin unik të shërbimeve e-Albania, plotësimi i formularit dhe depozitimi i dokumentacionit brenda afatit ligjor;
  4. Pranimi i aplikimit dhe reflektimi i të dhënave në regjistër.

Kundërvajtejet administrative

  • Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afateve dënohet me gjobë 250,000 lekë (shoqëritë ekzistuese), dhe 500,000 lekë (shoqëritë krijuara rishtazi);
  • Mosregjistrimi i cdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara brenda 30 ditëve dënohet me gjobë 250,000 lekë;
  • Për shkeljet e mësipërme dënohet me gjobë prej 150,000 lekësh dhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të regjistruar, person juridik;
  • Për subjektet, që kryejnë shkeljet e parashikuara më sipër, për më tepër se një herë, gjobat do të dyfishohen;
  • QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e regjistrit të OJF-ve, për subjektet raportuese që kryejnë shkeljet e mësipërme, nuk do të ofrojnë shërbimet e tyre deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarin përfitues.