Mbajtja e regjistrave të korrespondencës së të burgosurve në një server IT të gjyqësorit ishte në kundërshtim me Konventën

Në rastin Nuh Uzun dhe të tjerët kundër Turqisë (kërkesa nr. 49341/18 dhe 13 kërkesa të tjera) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti

  • njëzëri se kishte pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare/ e drejta për respektimin e korrespondencës) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut;
  • me shumicë votash (6 me 1) se gjetja e shkeljes në vetvete përbënte mjaft përmbushje të drejtë sa i përket dëmit jospecifik të pësuar nga kërkuesit.

Rasti kishte të bënte kryesisht me ngarkimin e korrespondencës së kërkuesve, ndërsa ata ishin në mbajtje, në Rrjetin e Serverit Kombëtar Gjyqësor (Ulusal Yargı Ağı Bilişim Sistemi – “UYAP”).

Gjykata konsideroi se korrespondenca private e kërkuesve kishte gjasa të përmbante të dhëna personale që hyjnë në fushën e mbrojtjes së jetës së tyre private. Kur kemi të bëjmë me të dhënat personale në veçanti, është qenësore të ketë rregulla të qarta, të hollësishme që rregullojnë fushëveprimin dhe zbatimin e atyre masave, bashkë me garancat minimale që synojnë ruajtjen e integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe procedurat për asgjësimin e tyre, për t’u ofruar garancitë e duhura personave të përfshirë. Gjykata gjeti se ngarkimi i korrespondencës së të burgosurve të ndaluar dhe të dënuarve në serverin e UYAP-së doli drejtpërdrejt dhe posaçërisht nga një udhëzim i nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë më 10 tetor 2016 dhe i rinxjerrë më 1 mars 2017. Gjykata vuri në dukje se udhëzimi u ishte drejtuar prokurorëve publikë dhe autoriteteve të burgjeve.

Dokumentet në fjalë ishin, pra, dokumente të brendshme të papublikuara, të cilat në parim nuk kishin fuqi detyruese. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, tekstet e këtij lloji, të cilat nuk ishin nxjerrë nga ndonjë pushtet rregullues, nuk mund të konsideroheshin si “ligje” me “veçori” të mjaftueshme për qëllime të praktikës gjyqësore të Gjykatës. Së këndejmi, ndërhyrja në të drejtën e kërkuesve për të respektuar jetën private dhe korrespondencën e tyre nuk mund të thuhet se ka qenë “në përputhje me ligjin” brenda kuptimit të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut