Jo më padi pa baza në Kushtetuese, gjoba 5 mijë dollarë – Shtrëngohen rregullat: Në rastet e kërkesave abuzive, penalitet subjekteve ose avokatëve

Ndërsa ashtu si Gjykata e Lartë, edhe Kushtetuesja është e mbingarkuar me padi e kërkesa të pabazuara, të cilat nuk plotësojnë kushtet për t’u shqyrtuar nga kjo shkallë e gjyqësorit, rregullorja e re e saj parashikon gjoba të kripura për subjektet apo avokatët që abuzojnë me të drejtën për të paraqitur kërkesa.  Jo vetëm kaq, në rastet kur Gjykata Kushtetuese konstaton falsifikime të dokumenteve, ajo mund të dërgojë subjektet për ndjekje penale.

Vetë Gjykata Kushtetuese ka miratuar më 22 dhjetor rregulloren e re për organizimin dhe funksionimin e saj.

Specifikisht, në rastet e abuzimit me të drejtën për të paraqitur kërkesë, Gjykata urdhëron gjobitjen e kërkuesit ose përfaqësuesit ligjor me gjobë në shumën nga 100,000–500,000 lekë, afërsisht 5 mijë dollarë. “Kur Gjykata konstaton se ndodhet përpara rasteve të falsifikimit të dokumenteve ose ndonjë vepre tjetër penale, ajo njëkohësisht ia dërgon materialet për hetim prokurorisë”, përcakton rregullorja.

Konsiderohet si rast i abuzimit me të drejtën për të paraqitur kërkesë kur kërkuesi ose përfaqësuesi i saj: a) paraqet kërkesë abuzive, që nënkupton ushtrimin e së drejtës për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat ajo është parashikuar; paraqitjen e një kërkesë të sajuar; ose të tillë që Gjykata e ka të pamundur të kuptojë kërkimet e saj; përdorimi i një gjuhe ofenduese, kërcënuese ose provokuese, pavarësisht nëse i drejtohet Gjykatës, institucioneve ose palëve të tjera.

  1. b) paraqet kërkesë të përsëritur, për të njëjtin shkak dhe objekt, megjithëse ajo është shqyrtuar një herë nga Gjykata Kushtetuese;
  2. c) fsheh ose shtrembëron fakte ose rrethana që lidhen me çështjen. Gabimet e bëra pa dashje në lidhje me detaje të vogla ose interpretime të ndryshme të fakteve apo dispozitave ligjore, nuk konsiderohen abuzim me të drejtën e paraqitjes së kërkesës.

Lorenc Rabeta / SCAN

Write a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *