Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë njofton se në datën 18.02.2022, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale Nr.70007-00466-00-2019 i Regj.Themeltar, më palë kërkuese K.D. dhe palë e interesuar: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë; Zyra e Gjendjes Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore, Kolegji vlerëson se ndërmjet Kolegjit Penal dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, si edhe midis gjykatave të rrethit gjyqësor dhe gjykatave administrative, ka qëndrime të ndryshme në lidhje me çështjen, se cila është gjykata kompetente për të shqyrtuar kërkesat me objekt rehabilitimin e të dënuarit sipas nenit 69 të Kodit Penal.

Në përfundim të këtij gjykimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 438 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

I. Kalimin në seancë gjyqësore me trup gjykues prej 5 gjyqtarësh për shqyrtimin e çështjes penale me nr. 70007-00466-2019, datë regjistrimi 06.05.2019, me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjet:

1. A përfshihet në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, procesi i hedhjes së të dhënave, shënimeve dhe heqja e tyre në regjistrin e gjendjes gjyqësore, sipas përcaktimeve të neneve 481-485 të Kodit të Procedurës Penale?

2. Cilit juridiksion i përket kompetenca e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave, për dhënien e informacionit apo për pretendimet eventuale mbi saktësinë e këtij informacioni që përmban regjistri i gjendjes gjyqësore?

3. Kur një person pretendon se plotëson kriteret ligjore për të përfituar nga rehabilitimi, sipas nenit 69 të Kodit Penal, por nuk arrin të realizojë këtë të drejtë, për shkak të refuzimit të shfaqur nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore, cila është gjykata kompetente që vendos për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje?

4. Si ndikon kryerja e një vepre tjetër penale gjatë kohës që nuk është plotësuar afati i rehabilitimit të të dënuarit sipas nenit 69 të Kodit Penal?

5. A përbën kryerja e një vepre tjetër penale shkak që subjektit t’i mohohet e drejta për të përfituar nga instituti i rehabilitimit apo kjo përbën shkak vetëm për ndërprerjen e afatit që parashikon neni 69 i Kodit Penal?

II. Zhvillimin e seancës gjyqësore në datën 11.03.2022, ora 09.30.

Write a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *