Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë njofton se në datën 18.02.2022, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale Nr.70007-00466-00-2019 i Regj.Themeltar, më palë kërkuese K.D. dhe palë e interesuar: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë; Zyra e Gjendjes Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore, Kolegji vlerëson se ndërmjet Kolegjit Penal dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, si edhe midis gjykatave të rrethit gjyqësor dhe gjykatave administrative, ka qëndrime të ndryshme në lidhje me çështjen, se cila është gjykata kompetente për të shqyrtuar kërkesat me objekt rehabilitimin e të dënuarit sipas nenit 69 të Kodit Penal.

Në përfundim të këtij gjykimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 438 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

I. Kalimin në seancë gjyqësore me trup gjykues prej 5 gjyqtarësh për shqyrtimin e çështjes penale me nr. 70007-00466-2019, datë regjistrimi 06.05.2019, me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjet:

1. A përfshihet në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, procesi i hedhjes së të dhënave, shënimeve dhe heqja e tyre në regjistrin e gjendjes gjyqësore, sipas përcaktimeve të neneve 481-485 të Kodit të Procedurës Penale?

2. Cilit juridiksion i përket kompetenca e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave, për dhënien e informacionit apo për pretendimet eventuale mbi saktësinë e këtij informacioni që përmban regjistri i gjendjes gjyqësore?

3. Kur një person pretendon se plotëson kriteret ligjore për të përfituar nga rehabilitimi, sipas nenit 69 të Kodit Penal, por nuk arrin të realizojë këtë të drejtë, për shkak të refuzimit të shfaqur nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore, cila është gjykata kompetente që vendos për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje?

4. Si ndikon kryerja e një vepre tjetër penale gjatë kohës që nuk është plotësuar afati i rehabilitimit të të dënuarit sipas nenit 69 të Kodit Penal?

5. A përbën kryerja e një vepre tjetër penale shkak që subjektit t’i mohohet e drejta për të përfituar nga instituti i rehabilitimit apo kjo përbën shkak vetëm për ndërprerjen e afatit që parashikon neni 69 i Kodit Penal?

II. Zhvillimin e seancës gjyqësore në datën 11.03.2022, ora 09.30.

Hapat që duhet të ndjekin bizneset, pas regjistrimit fillestar.

Regjistrimi fillestar (hapja) e një biznesi është një nga vendimet më të rëndësishme, që një sipërmarrës duhet të marrë. Është një proces që shoqërohet patjetër, me informacione për pasojat e regjistrimit, detyrimet e shtuara, përgjegjësitë por edhe mundësi të pafundme për të pasur sukses.

Është shumë e rëndësishme në këtë fazë që të bëhet një parashikim të ardhurave dhe shpenzimeve të biznesit, për të qenë të përgatitur; por edhe për të marrë vendimet në kohën e duhur.

Në vazhdim; në hapat e para të pas-regjistrimit të biznesit, janë të nevojshme që të ndiqen disa procedura dhe praktika fillestare. Disa nga këto çështje shoqërohen me afate maksimale, që duhet të respektohen dhe disa të tjera, janë të detyrueshme për të filluar aktivitetin.

Ky është një proces fare normal, që duhet të ndiqet dhe që lidhet me përgjegjësitë e hapjes së një biznesi. Këto çështje nuk duhet të trajtohen vetëm si “frikë” e gjobave, por si një fillim i mbarë i punës. E vërteta është që ka mungesë informacioni, për hapat që duhet të ndiqen dhe, shpjegimi praktik i procedurave në një formë sa më të thjeshtuar.

Në mënyrë të thjeshtuar, hapat që duhet të ndjekin bizneset; janë si më poshtë.

  1. Hapja e llogarisë së biznesit në portalin qeveritar e-Albania. Ky është edhe hapi i parë i nevojshëm, për të pasur mundësi aksesi në shërbimet e tjera online. Meqenëse pjesa më e madhe e shërbimeve të tjera, merren tashmë jo nëpërmjet aplikimeve apo vizitave në institucionet e ndryshme, është e nevojshme hapja dhe aktivizimi i llogarisë së biznesit në këtë portal. Kjo nuk duhet të ngatërrohet me llogarinë tuaj personale në e-Albania, por llogaria e biznesit aty. Nëse ju jeni person juridik, regjistrimi i llogarisë së biznesit kryhet nga llogaria juaj personale; ndërsa, nëse ju jeni person fizik, aplikimi kryhet nga llogaria personale e individit.
  2. Hapja e llogarisë së tatimeve. Edhe ky proces është i nevojshëm, në pjesën e procedurave tatimore. Nga aty do të administrohen në vazhdim, deklarimet tatimore periodike, shtimi dhe largimi i punonjësve dhe administrimi në përgjithësi i përgjegjësive tuaja si tatim pagues. Ky regjistrim është gjithashtu mjaft i thjeshtë. Aktivizimi i llogarisë tatimore, nevojitet të kryhet ditën tjetër, pas regjistrimit të biznesit (data e regjistrimit fillestar). Regjistrimi i llogarisë së tatimeve kryhet këtu https://efiling.tatime.gov.al/cats_public/Account/LogOn. Për të krijuar llogarinë tuaj të tatimeve, keni nevojë vetëm për numrin tuaj unik të identifikimit (NUIS ose ndryshe i quajtur NIPT). Fjalëkalimi fillestar që përdoret për të aksesuar llogarinë tuaj është Tatimetemia12. Më pas do ju kërkohet vendosja e një fjalëkalimi të ri. Bëni kujdes që të ruani fjalëkalimin e vendosur, por, edhe nëse ndodh, ju do të keni mundësi të gjeneroni një fjalëkalim të ri, nëpërmjet llogarisë tuaj të biznesit në e-Albania (si pika më lart).
  3. Nënshkrimi kontratës së qirasë apo dokumenti që tregon përdorimin e ambientit, dhe depozitimi i tij; po në formë elektronike, nëpërmjet llogarisë tuaj në Tatime. Veç përdorimit nëpërmjet një marrëveshje qiraje, biznesi mund të përdorë ambientin/et, edhe nëse ato janë në pronësi të tij (biznesit dhe jo individit), apo edhe një marrëveshje hua-përdorimi. Kuadri ligjor parashikon detyrimin e përdoruesit të pronës, për të mbajtur tatimin në burim në masën 15%, nëse Qiradhënësi nuk është i regjistruar në organet tatimore, dhe arkëton qiranë si një individ i thjeshtë. Gjithashtu ligji ka parashikuar edhe minimumin e tatimit të pagueshëm. Qiraja minimale mujore; vetëm për qëllime tatimore, nuk mund të jetë më e ulët se sa 0.3% e vlerës referencë të pronës. Nëse ju jeni person fizik, dhe përdorni ambientin në pronësi tuaj apo të familjarëve tuaj, ju nuk keni detyrimin për të llogaritur, mbajtur dhe paguar tatimin në burim. Shiko VKM Nr. 469 për Përcaktimin e vlerës minimale të qirasë. Nëse ju do të paguani në të ardhmen tatimin në burim, duhet të shtoni përgjegjësinë tatimore të tatimit në burim.
  4. Hapja e llogarisë bankare. Për të pasur mundësinë e kryerjes së pagesave në emër të biznesit dhe arkëtimeve të pritshme ndaj biznesit, duhet patjetër të hapet edhe llogaria/të bankare rrjedhëse në emër të biznesit. Ky proces është gjithashtu detyrim ligjor i biznesit/tatimpaguesit, që nevojitet të hapë dhe depozitojë në formë elektronike informacionin e llogarive bankare, brenda jo më shumë se 20 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit fillestar. Dokumentacioni i nevojshëm që kërkojnë bankat në këtë rast është; (a) Ekstrakti Historik i gjeneruar nga e-Albania, (b) Çertifikatë Regjistrimi (ose NIPT) e gjeneruar po nga e-Albania, (c) Në rastet e personave juridike Statuti dhe Akti i Themelimit, dhe (d) Dokumenti i identifikimit të përfaqësuesit ligjor. Ne këshillojmë, edhe përdorimin e shërbimit e-banking, si një mundësi mjaft e mirë dhe praktike për të kryer pagesat në të ardhmen. Ju mund të zgjidhni hapjen e llogarive bankare, në një nga bankat e licensuara të nivelit të dytë në Shqipëri https://www.bankofalbania.org/Mbikeqyrja/Subjekte_te_licencuara/Banka/
  5. Fiskalizimi. Procesi i fiskalizimit është një nga hapat më pozitive dhe vendimet më të rëndësishme, të vitit 2021. Tashmë çdo subjekt në Shqipëri, që pranon dhe lëshon fatura, është i detyruar që të përshtasë sistemin e faturimit të tij. Ky proces është shoqëruar me të panjohura dhe trajtuar shpesh si një pengesë për bizneset, për arsye të mos-kuptimit apo shtimit të kostos. Në të vërtetë, ky është një proces krejt normal, mjaft pozitiv dhe që do të ndodhte patjetër, si pjesë e zhvillimeve teknologjike në këtë fushë. Kjo është një mundësi mjaft e mirë për bizneset, për të pasur informacion në kohë reale dhe lehtësur procesin e lëshimit dhe pranimit të faturave. Ajo që ka ndryshuar në thelb, është vetëm, zevëndësimi i metodës së lëshimit/pranimit të faturave, tashmë jo nëpërmjet faturave fizike në letër, por në formë elektronike. Si çdo proces i ri ai shoqërohet me të panjohura dhe rezistencë normale nga ndryshimi, por, të paktën deri tani, dhe priten ende efekte pozitive në të ardhmen, ky proces ka lehtësuar ndjeshëm punën e përditshme të bizneseve. Për të pasur mundësinë e pranimit dhe lëshimit të faturave një biznes duhet të ndjekë këto dy hapa. (a) Pajiset me Certifikatën e Fiskalizimit, e cila jepet nga ky aplikacion https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691. Kostoja e këtij shërbimi; e pagueshme si tarifë vjetore për institucionin publik të AKSHI (Agjencia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit) publik është 4 000 lekë/vit, dhe (b)Zgjedhë për të përdorur, nga lista e kompanive të certifikuara https://www.tatime.gov.al/c/424/494/lista-e-subjekteve-te-certifikuara një nga zgjidhjet e njohura softuerike, për lëshimin/marrjen e faturave elektronike.
  6. Interesimi dhe ndjekja e procedurave për tu pajisur me leje/licensë, në varësi të aktivitetit tuaj. Gjithashtu një nga pikat më të rëndësishme që duhet të ndiqet në këtë fazë. Disa nga llojet e aktiviteteve, që ju mund të zgjidhni të kryeni, shoqërohen edhe me marrjen paraprake të një licensë apo leje nga institucionet përkatëse. Nëse ju nuk jeni pajisur paraprakisht me një dokument të tillë, mund të ndodhë që të mos keni të drejtë të kryeni aktivitetin tuaj. Psh. Nëse ju jeni një klinikë dentare, duhet që subjekti juaj paraprakisht të licensohet për të funksionuar si një klinikë dentare. Llojet e liçensave dhe informacion për marrjen e tyre e gjeni në këtë link https://qkb.gov.al/informacion-mbi-proceduren/regjistri-i-licencave-autorizimeve-dhe-lejeve/informacion-mbi-licensat-autorizimet-dhe-lejet/.
  7. Aplikimi në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Një nga pikat e procedurës fillestare që duhet të ndjekim është aplikimi për regjistrimin fillestar të Pronarëve Përfitues. Çështja është paksa e ndjeshme, por asgjë për t’u shqetësuar, sepse shoqërohet me paraqitjen e dokumentacionit, afatet dhe penalitetet, në rast të tejkalimit të këtyre afateve. Ky aplikim kryhet vetëm nga personat juridike dhe përjashtohen nga ky detyrim personat fizik. Për të kryer këtë aplikim nevojitet, (a) Marrja e nënshkrimit elektronik në emër të përfaqësuesit ligjor. Shërbimi për marrjen e nënshkrimit elektronik paraqitet në këtë link https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13521 dhe (b) aplikimi për regjistrin e pronarëve më pas këtu https://e-albania.al /eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14519. Dokumentacioni dhe informacioni i nevojshëm në këtë rast është; Ekstrakti, Statuti/Akti i Themelimit, ID të Pronarëve Përfitues, informacion për përqindjen e pronësisë dhe të dhënat e pronarëve përfitues.
  8. Interesimi për pagesën e taksave vendore. Pagesa e taksave vendore në Shqipëri; në pjesën kryesore të tyre, paguhen një herë në vit. Afati i pagesës së taksave është data 20 Prill e vitit për të cilin paguhen taksat. Në rastin e regjistrimit rishtazi, afati i pagesës është një muaj pas regjistrimit fillestar.
  9. Përgatitja e një vule në emër të biznesit. Një ide e mirë për të pasur mundësinë e formalit të procedurave tuaja të brendshme. Gjithashtu, vula nevojitet në raste të aplikimeve apo korrespodencave në institucionet publike.
  10. Interesimi për lejen e punës dhe më pas të qëndrimit për shtetasit e huaj. Në rastin e punësimit të shtetasve të huaj në Shqipëri, nevojitet fillimisht aplikim për marrjen e lejes së punës. Në rastin e shtetasve banues në Bashkimin Europian dhe Kosovë, ligji parashikon ndjekjen e një procedura të thjeshtuar të marrje së Leje së Punës. Në vazhdim, në punonjësi do të vijoj të qëndrojë në Shqipëri, nevojitet të pajisjet me Leje Qëndrimi.

Ndjekja e këtyre çështjeve veçmas, përveç plotësimit të detyrimit ligjor, është edhe një fillim i mbarë i administrimit të biznesit. Ky proces nuk ka përse të jetë i shoqëruar me shqetësime ose nxitime të plotësimit të afateve, por një detyrim ligjor i juaji, si një përgjegjësi e shtuar në punën dhe përgjegjësinë që keni marrë. Ne ju rekomandojmë, pavarësisht angazhimit të personelit të jashtëm që ndjek këto procedura, ju të jeni pjesë e marrjes së vendimeve, dhe keni informacionin e nevojshëm se çfarë po ndodh me biznesin tuaj.

Ne shpresojmë që ky informacion të jetë sado pak i vlefshëm për Ju dhe ti shërbejë qartësimit të nevojës për të ndjekur këto procedura dhe jo thjesht detyrimit ligjor të tyre. Ky është vetëm fillimi i një pune mjaft të lodhshme, në një mjedis ekonomik që ndryshon kaq shpesh.

Tatimi mbi fitimin; afatet dhe deklarimi

Fusha e zbatimit

Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen:

  • Personat juridikë dhe ortakëritë me të ardhura mbi 8 000 000 lekë në vit
  • Personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, , me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Kujdes: Çdo person, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur është a bëhet subjekt i tatimit mbi fitimin, ka të drejtë të kërkojë çregjistrimin në çdo kohë, por jo të kalojë si subjekt, që i nënshtrohet tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël.

Detyrimi për të paguar tatimin mbi fitimin
Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Tatimpaguesit jorezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha të ardhurat, me burim në Republikën e Shqipërisë

Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin: Organet e qeverisjes qëndrore dhe vendore, Banka e Shqipërisë, shoqata humanitare, organizata ndërkombëtare, kur parashikohet nga marrëveshje të veçanta, sipërmarrje të parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi, fondacionet ose institucionet financiare jo bankare të krijuara ose të transferuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Fondi i pensionit vullnetar i administruar.

Kujdes: Të gjitha subjektet e lartpërmendura, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe bilancin vjetor, në të njëjtat afate si subjektet, që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin.

Strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin,  për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Fitimi i tatueshëm

Fitimi i tatueshëm rezulton si diferencë e të ardhurave gjithsej të realizuara gjatë periudhës tatimore (viti kalendarik), me shpenzimet e njohura.

Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të bilancit dhe të anekseve të tij, që duhet të jenë hartuar në përputhje me ligjin Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare.

Të ardhurat

Të ardhurat gjithsej nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to, të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.

Shpenzimet

Shpenzimet e njohura (zbritshme)

Për të qenë të njohura (të zbritshme) shpenzimet duhet të përmbushin këto kushte:

  1. të jenë kryer në interes të drejtpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike të sipërmarrjes;
  2. të jenë kryer efektivisht;
  3. të jenë pasqyruar nëpërmjet një veprimi kontabël duke pakësuar aktivet neto;
  4. të jenë të provuara me dokumentacionin përkatës justifikues ligjor.

Shpenzimet të panjohura (zbritshme)
Për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, nuk njihen shpenzimet që ligji i tatimit mbi të ardhurat i ka përcaktuar në një listë shteruese. Për më shumë informacion referojuni Ligjit Nr. 8438 “Për tatimin mbi të ardhurat”, neni 21, të cilin mund ta gjeni më poshtë.

Shkalla tatimore

Shkalla e tatimit mbi fitimin është:

0 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit.

15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.

Shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % per:

  • Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve
  • Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”
  • Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive.

Për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt I certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.

Pagesa e tatimit

Parapagimi – këstet paraprake të tatimit mbi fitimin
Tatimi mbi fitimin paguhet çdo tremujor ose çdo muaj në formë paradhënie gjatë vitit, bazuar në këste mujore.
Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, në shumat si më poshtë:

Rasti i përgjithshëm

  • për muajt janar – mars, të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me 12;
  • për muajt prill – dhjetor, të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.

Raste të veçantë
Në rastin kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës tatimore të vitit të dytë paraardhës, parapagimet janë:

  • për muajt janar – mars, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me numrin e muajve, gjatë të cilëve tatimpaguesi ka ushtruar veprimtarinë tatimore.
  • për muajt prill – dhjetor, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.

Në rastin kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës paraardhëse tatimore, parapagimet janë:

  • për muajt janar – mars, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e vlerësuar e tatimit mbi fitimin për periudhën e mëparshme, pjesëtuar me numrin e muajve të periudhës së mëparshme, gjatë të cilëve është ushtruar veprimtari.
  • për muajt prill – dhjetor, të periudhës vijuese tatimore, sa shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.

Në rastin kur një tatimpagues fillon të ushtrojë një veprimtari në periudhën vijuese tatimore, parapagimet janë:

  • sa shuma e vlerësuar e tatimit mbi fitimin për periudhën vijuese, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur nga periudha vijuese tatimore.

Përjashtim

  • Tatimpaguesit që fillojnë veprimtarinë në periudhën vijuese dhe ushtrojnë veprimtari në sferën prodhuese nuk do t’i nënshtrohen parapagimit të detyrimit për tatimin mbi fitimin për një periudhë 6 – mujore ose për periudhën e mbetur deri në fund të vitit vijues, nëse kjo periudhë është edhe më e vogël se 6 muaj.

Korrigjimi i kësteve paraprake
Në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve.

Në rast se tatimpaguesi ka ulur këstet e parapagimit, të caktuara nga organi tatimor, dhe detyrimi tatimor vjetor për tatimfitimin, që rezulton nga bilanci, tejkalon parapagimin me më shumë se 10%, ai duhet të paguajë kamatëvonesa mbi diferencën ndërmjet detyrimit real vjetor dhe shumës së parapaguar gjatë vitit.

Nëse organet tatimore vlerësojnë se tatimi mbi fitimin për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10% tatimin mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet, në përputhje me tatimin mbi fitimin e vlerësuar prej tyre.

Deklarata dhe llogaritja përfundimtare e tatimit

Tatimpaguesi me mbylljen e vitit kalendarik, përgatit deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme në formën e përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave, të cilën mund ta gjeni më poshtë.
Formulari i Deklaratës e Pagesës së Tatimit mbi Fitimin dorëzohet në organet tatimore brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës, duke paraqitur në të njëjtën kohë bilancin kontabël, së bashku me anekset e tij.

Mund të paraqiten këto raste:

Nëse tatimi i deklaruar dhe i paguar në bazë të deklaratës vjetore është më i madh se:

  • shuma e kësteve mujore të paradhënieve të paguara gjatë vitit dhe
  • tatimi i huaj i paguar, (i cili kreditohet) tatimpaguesi paguan diferencën, brenda datës 31 Mars të vitit të ardhshëm.

Nëse tatimi i deklaruar dhe i paguar në bazë të deklaratës vjetore është më i vogël se:

  • shuma e kësteve mujore të paradhënieve të paguara gjatë vitit; dhe
  • tatimi i huaj i paguar, ( i cili kreditohet) administrata tatimore e kalon shumën e paguar më tepër për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesi.

Nëse tatimpaguesi nuk ka detyrime të tjera tatimore të papaguara, me miratimin me shkrim të tij, shuma e mbetur, nëse ka:

  • rimbursohet automatikisht, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e deklarimit dhe e pagesës nga tatimpaguesi;
  • kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit.

Destinimi i fitimit

Shoqëritë tregtare, sipas pagimit të tatimit mbi fitimin, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e mbylljes së vitit financiar, duhet të miratojnë në asamblenë e ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë:

  • rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe
  • të destinojnë fitimin pas tatimit,

duke përcaktuar:

  • shumën e rezervave ligjore
  • pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe
  • pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi.

Shoqëritë tregtare, duhet të depozitojnë pranë administratës tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin e organit përgjegjës, për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit.

Ky detyrim mbetet edhe nëse rezultati për vitin ushtrimor ka qenë me humbje apo zero.

Kujdes: Për paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 lekësh.

Personi juridik duhet të deklarojë dhe të paguajë për llogari të administratës tatimore tatimin mbi dividendin e pagueshëm, jo më vonë se data 20 gusht e vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.

MOTORRET ELEKTRIK, MUND T’JU SHPIEN EDHE NE BURG.

Ligji parashikon se per motomjetet, ku bejne pjese edhe motorret elektrike si me poshte, duhet te pajiseni me leje drejtimi , patente per ti drejtuar ata.

Motomjet quhet edhe motorri elektrik i cili ka ose shpejtesi mbi 50 kmh , ose dy ndenjëse ose fuqi motorrike mbi 4 kw.

Ne nenin 52 pika 4, të ligjit nr. 8378, dt. 22.07.1998, Kodi Rrugor, parashikohet se:

1-Ciklomotorët janë mjete me motorr, me dy ose tre rrota që kanë këto karakteristika:

a) Motorr me cilindrate jo më të mëdha se 50 cc……

b) Aftësi lëvizëse mbi rrugë horizontale me një shpejtësi deri në 50 km/h, nqs është motor me djegie të brendshme,

c) Ndenjëse njëvendëshe që nuk lejon transportin e një njeriu tjetër përveç drejtuesit të mjetit,

2-. Ciklomotorët me tri rrota, në sajë të ndërtimit të tyre, mund të përdoren për transport mallrash; pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë dhe përmasat gabaritë nuk mund të jenë më të mëdha se sa kufijtë e përcaktuar me udhëzim të veçantë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, në përputhje me normativat e Komunitetit Evropian

3- Karakteristikat, për të cilat bëhet fjalë në pikat 1 dhe 2, janë karakteristikat konstruktive të mjetit. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kriteret për përcaktimin e karakteristikave të sipërtreguara dhe mënyrat për kontrollin e tyre, si dhe udhëzimet teknike për verifikimin e tyre me gjendjen faktike.

4- Mjetet e mësipërme kur e kalojnë kufirin e përcaktuar, qoftë dhe për njërën prej karakteristikave të treguara në pikat 1 dhe 2 konsiderohen motomjete.

Me ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor me ligjin nr. 175/2014, në nenin 115 pika 3 përcaktohet kategorizimi i lejeve të drejtimit për motomjetet dhe automjetet, ndërsa në nenin 123 pika 2/ë, vlefshmëria e tyre.

Neni 115 pika 3 për kategorinë AM parashikon: “Çiklomotorë me dy rrota, kategoria L1, me shpejtësi maksimale më e madhe se 25 km/h dhe jo më shumë se 45 km/h; fuqia cilindrike e të cilit më e vogël apo e barabartë me 50 cm 3 nëse është me djegie të brndshme, apo fuqia maksimale e vazhdueshme është më e vogël apo e barabartë me 4 kw për motorët elektrike.

Ndërsa neni 123 pika 2/ë për vlefshmërinë e lejedrejtimit parashikon, Leje drejtimi e kategorisë B është e vlefshme në territorin kombëtar për të drejtuar mjete rrugore me tri rrota me fuqi më të madhe se 15 kw si dhe motomjetet e kategorisë A1, me kusht që mbajtësi i lejedrejtimit të jetë të paktën 21 vjeç.

Pra, për të drejtuar një motomjet apo nje motorr elektrik si me siper është e nevojshme të kaloni një provim te kontrollit të njohurive teorike dhe pas provës së verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, Ju mund te pajiseni me lejedrejtimi. Vetem keshtu mund ti shmangeni burgut.